Sali Bytyçi ka lindur në fshatin Dejë të Drinisë më 1962. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Ratkoc dhe Rahovec ndërsa studimet në Degën e Letërsisë shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1983 është dënuar nga regjimi komunist jugosllav për veprën penale - propagandë armiqësore sepse i është gjetur një poemë armiqësore (në dorëshkrim) ndërsa nga 12 maji 1998 e deri në fund të tetorit 2000 ka qëndruar në burgjet: Prizren Lipjan Dubravë e Nish si rob lufte. Punon në Degën e Letërsisë në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë. Me shkrime ka filluar të merret qysh në kohën kur ishte student ndërsa ka marrë pjesë në sesione shkencore që janë organizuar brenda dhe jashtë vendit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.